Error message

Warning: "continue" targeting switch is equivalent to "break". Did you mean to use "continue 2"? në include_once() (rreshti 1387 i /home2/crlds/public_html/includes/bootstrap.inc).

“Ikja e trurit” dhe politika

Publikuar më 02.09.2012 | 12:34

Nga Silvi Halili  
Prej 13 vitesh, vendi ynë ka hedhur shikimin me shpresën e madhe, për t’u përfshirë brenda “hartës” progresiste e moderne të botës së qytetëruar. Brezi ynë, që është “ndëshkuar” për të përjetuar tranzicionin e 20 viteve, ndihet i lodhur, sepse nuk mund të realizojë projektet e ëndrrat e veta. Në këto kushte, kontingjentet e braktisura e të shpërfillura, gjejnë si rrugëzgjidhje largimin nga vendi. Ky reagim ekstrem përbën një dramë të madhe shoqërore: largimin e inteligjencës.

Gjithçka lidhet me largimin e intelektualëve jashtë kufijve dhe moskthimin e studentëve në Shqipëri pas studimeve, me bindjen se atje është e ardhmja e tyre, e cila aktualisht u mungon në Shqipëri. Në vitet pas hapjes së madhe, Shqipëria ka pasur e vazhdon të ketë një firo të dukshme të specialistëve, shkencëtarëve, studiuesve, artistëve etj. Ky largim ka sjellë pasoja shqetësuese në institucionet e shërbimet publike si: arsimi, shëndetësia, kultura, administrata publike, diplomacia, minierat, ushtria etj. P.sh., në arsim, në të gjitha nivelet e mësimdhënies që nga ai parashkollor e deri tek ai universitar, mësimdhënësit, edhe pse janë me diploma, tituj e grada shkencore, nuk u përgjigjen kërkesave të kohës.

Mjafton të jesh militant partie, mitingash “i zoti”, i besuar i drejtuesve të partive, mik, shok, ose familjar i tyre dhe bëhesh…. ministër, deputet, diplomat, drejtor. Ky realitet i hidhur, që sundon funksionimin e institucioneve, detyron qindra e mijëra intelektualë e specialistë të marrin rrugët e botës, në kërkim të mbijetesës. Ata kanë pranuar të kryejnë edhe punë të rëndomta në të gjithë shtetet e botës, por kurrsesi të jenë intelektualë në Shqipëri. Vendi ku ata janë diplomuar e janë kualifikuar, ku kanë punuar shumë vite, nuk u afroi asgjë, madje as vende pune, sepse gjithçka është e vazhdon të mbetet monopol i zyrave të “kuadrit” të partive, të cilat nuk të pranojnë në punë nëse nuk mban parullat e mitingjeve, nëse nuk bëhesh shërbëtor i fushatave elektorale, nëse nuk bëhesh servil e bashkautor i heshtur; nuk të pranojnë nëse nuk del në qytet ose fshat me grupin tënd mbështetës të partisë që ka pushtetin. Kjo hemorragji e inteligjencës vazhdon të thellohet. Politika e di mirë këtë realitet dhe nuk përpiqet ta parandalojë, ose të krijojë kushte të paktën minimale bindëse e konkrete, për ta kthyer në Shqipëri “trurin” e ikur të kombit.

Në përgjigje të këtij qëndrimi të politikës e administratës shtetërore, inteligjenca po reagon me braktisje të vendit. Ajo ka kuptuar që nuk mund të jetë pjesë integruese e shoqërisë, e respektuar dhe e shpërblyer në veprimtarinë e saj, për aq kohë sa politika bllokon e denigron, për aq kohë sa inteligjenca në Shqipëri përdoret vetëm si altoparlant i pushtetit e politikës. Ajo pjesë e inteligjencës që nuk pranon të përdoret si instrument i pushtetit e politikës, nuk pranohet brenda zyrave e institucioneve. Asaj i mbetet vetëm një alternativë: largimi nga Shqipëria dhe vendimi për të mos u kthyer më…